Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i degës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e madhe ndaj kandidatit për kryetar, Arbër Ismajli, dhe listës së LDK-së.
Haziri ka thënë se më 12 tetor pritet rikthimi i madh i LDK-së në Gjilan, duke e cilësuar Ismajlin si kryetarin në ardhje, të përgatitur dhe të lidhur ngushtë me qytetin.
Statusi i plotë:
Gjilanas të dashur,
Ju falënderoj nga zemra që prej momentit të nominimit, ia keni dhënë mbështetjen maksimale Arbërit, kryetarit në ardhje të Gjilanit, për rikthimin e madh të LDK-së më 12 tetor.
Janë mbi 700 takime të realizuara deri tani në terren, dhe faleminderit prej fundit të zemrës secilës e secilit për pritjen e ngrohtë e për dashninë, burrave e grave, djemve e vajzave, për mikpritjen në çdo familje, në çdo lagje e në çdo fshat.
Miku im, Arbëri, nuk e ka vetëm talentin e ambicjen. Ai e ka edhe dijen, edhe përgatitjen, edhe modestinë.
Mbi të gjitha, Arbëri është idealist, i lidhur për këtë qytet në mënyrë organike.
Është i lidhur për Gjilanin, jeton për Gjilanin, i ka shërbyer Gjilanit dhe me besim në Zot, familje e atdhe, po i kthehet Komunës, për ta nxjerrë këtë qytet nga gropa e madhe që u fundos në katër vitet e fundit.
Gjilanasit janë qytetarë europianë, të cilët refuzojnë të identifikohen me epitetet më të këqija që ia sollën këto katër vite.
Refuzojnë të identifikohen me ‘Komunën e kunatave e balldëskave’, refuzojnë të identifikohen me depresion ekonomik e politik, refuzojnë të ecin nëpër terr politik.
Unë ju lus që të dilni të dielën masivisht, t’ia konfirmoni besimin e plotë përmes votës së lirë dhe demokratike Arbërit dhe ekipit politik të tij për Kuvendin e Komunës.
Duke votuar për Arbërin dhe listën e LDK-së, ju keni votuar për vetën tuaj, për familjen tuaj, për të ardhmen tuaj.
Keni votuar për ta nxjerrë Gjilanin nga kjo gropë e zezë financiare, nga ky depresion i thellë politik dhe ekonomik.
Për t’ia kthyer këtij qyteti namin e një kryeqendre politike, ekonomike, të arsimit, sigurisë, kulturës, rinisë e sportit.
Ai po vjen. Besë e shpresë për Gjilanin!
Ju falënderoj nga zemra. Zoti ju bekoftë!
#LDKPertej
#BashkePerFitore👓
#ArberIsmajli #113