Menaxhmenti i Policisë së Kosovës në vazhdimësi ka synuar rritjen e efikasitetit në punën e policëve të lagjes, me qëllim që ata të jenë sa më afër komunitetit dhe nevojave të qytetarëve.
Përmbushja e objektivave të Strategjisë së Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, si dhe forcimi i qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve tashmë mundësohet më lehtë dhe më shpejt, falë pajisjes me automjete zyrtare.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, ka vazhduar me mbështetjen ndaj Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, konkretisht për sektorët ku shërbejnë policët e lagjes, duke ndarë nëntëmbëdhjetë (19) vetura të reja Hybride për mbulimin e zonave sektoriale, në të gjitha drejtoritë rajonale.
Kjo edhe një herë dëshmon përkushtimin e menaxhmentit të Policisë për një qasje gjithnjë e më proaktive ndaj komunitetit, për forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit me qytetarët, si dhe për rritjen e mëtejme të besueshmërisë dhe transparencës institucionale.