Punëtorët e Postës së Kosovës sot kanë mbajtur grevë një orëshe, derisa kanë paralajmëruar për të hënë grevë gjithë ditore.
Greva filloi në ora 13:00 dhe zgjati deri në ora 14:00, duke u pamundësuar qytetarëve marrjen e shërbimeve gjatë grevës.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti, u shpreh se qëllimi i grevës është sensibilizimi i institucioneve përgjegjëse për tejkalimin e krizës financiare në këtë ndërmarrje.
Hoti ka paralajmëruar për ditën e hënë grevë gjithë ditore duke filluar nga ora 09:00 deri në ora 21:00, derisa ka shtuar se ditëve tjera do të vazhdojnë me masa të ndryshme sindikale deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve të Postës.
“Greva jonë e sotshme një orëshe është një sensibilizim për reflektim të institucioneve relevante të cilët janë përgjegjës për të kaluar krizën financiare në ndërmarrjen publike Posta e Kosovës në të cilën sot siç e dini, jemi me datën 6 dhe ne ende nuk i kemi pranuar pagat. Nuk mund të ketë stabilitet për punonjësit pa mbulimin e shërbimit universal të cilin e kemi kërkuar vazhdimisht në institucionet relevante, pa aprovimin e strategjisë së Postës e cila është dërguar në Qeverinë e Republikës së Kosovës në dhjetorin e kaluar”, u shpreh ai.
Sipas Hoxhës, tejkalimi i krizës financiare së kësaj ndërmarrje publike nuk do të mund të ndodhë edhe pa ndalimin e favorizimeve ndaj operatorëve privat nga institucionet shtetërore.
I shqetësuar për mos marrjen e pagës u shpreh edhe kontrollori i zyrës postare në Prishtinë, Mursel Krasniqi, i cili u shpreh se në pesë muajt e fundit po kanë vonesa në marrjen e pagave.
E fajin për këtë Krasniqi ia vë institucioneve të Kosovës, të cilat, nuk po e përkrahin Postën e Kosovës.
“Në tri vitet e fundit vetëm dy herë kemi zbritje të pagash, vetëm kjo dy herë dhe nuk po arrijmë me i marrë me kohë për shkak se institucionet e Kosovës nuk po i përkrahin Postën e Kosovës sipas kërkesave që i ka dërgua drejtoria e Postës, do të thotë ne jemi në përkrahje të sindikatës dhe do e përkrahim deri në fund që të arrijmë qëllimet tona për marrjen e pagave”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndryshe, Telekomi i Kosovës është duke u ballafaquar me krizë të thellë financiare dhe rrezikon edhe falimentimin.