Nga ëndrra e babait, në një prej kafeneve më të dashura të qytetit
Sot, “KIMI CAFÉ & CAKEHOUSE” feston 11 vite nga transformimi i saj – një rrugëtim i nisur me shumë pasion, sakrificë dhe besim në ëndrrën familjare. Historia e dy vëllezërve që morën përsipër të rinovojnë dhe të udhëheqin një ëmbëltore të vogël familjare është shembulli më i bukur se si përkushtimi, dashuria dhe bashkimi mund ta kthejnë një ide të thjeshtë në një sukses të qëndrueshëm.
Sot, 11 vite më parë…
Ishte 31 tetor, një ditë si kjo e sotmja, kur dy vëllezërit punuan gjithë ditën – njëri duke pastruar e përgatitur lokalin, tjetri duke prodhuar tortat më të mira që njiheshin në qytet.
Në mbrëmje, u ulën te kamini i vogël, në tavolinën e tyre të preferuar, duke pritur orën për ta marrë babain në dializë dhe për të hapur lokalin e rinovuar me konceptin e ri.
Ishte dita kur “Ëmbëltorja Kimi” u transformua në “KIMI CAFÉ & CAKEHOUSE”.
Dy të rinj me shumë pyetje, por edhe me besim të palëkundur në vetvete, vendosën ta udhëhiqnin vetë rrugën e re të biznesit familjar.
Një fillim i vështirë, por plot shpresë
Në ato ditë të para, çdo gjë ishte punuar me duart e tyre. Çdo ide, çdo detaj, çdo shpresë ishte përqendruar në atë lokal.
Vëllezërit kujtojnë momentin kur kërkuan disa filxhanë dhe pak kafe për reklamë, sepse asnjë brand nuk i mbështeste atëherë.
Por një gjest i vogël bujarie i një miku të familjes u kthye në simbol mirësie:
“Jepjau krejt çka kemi! Ju qoftë përhajr – larg keni me shkue!”, ishte bekimi i parë që morën në atë rrugëtim.
Në orën 17:00, dera e lokalit u hap për herë të parë.
E gjithë lagjja e Varoshit, që zakonisht mbyllej herët, atë natë qëndroi zgjuar për ta.
Lokali u mbush me njerëz, me dashuri dhe me dritë.
Në sfond dëgjohej muzikë franceze, aromë ëmbëlsirash të sapopjekura dhe emocioni i një fillimi që askush s’e harron.
Një natë që ndezi një ëndërr
Nëna kishte përgatitur kifle të ngrohta, motra një trileqe të veçantë, ndërsa babai – që kishte humbur shikimin – e dëgjonte me buzëqeshje përshkrimin e lokalit që e kishte frymëzuar dikur.
“Po dilni trima… mos u tutni, ishalla ec mirë”, ishte fjalia e tij e shkurtër, por me peshë të madhe.
Atë natë, Varoshi kishte më shumë dritë se kurrë. Dhe ndoshta, siç thonë vetë vëllezërit, ato sirena policie që dëgjuan rastësisht në fillim të ditës ishin paralajmërimi i një nisme të madhe që po lindte.
Nga një ëmbëltore familjare, në një brand të dashur
Gjatë këtyre 11 viteve, “KIMI CAFÉ & CAKEHOUSE” ka evoluar nga një ëmbëltore tradicionale në një destinacion të njohur për cilësinë, kreativitetin dhe ndjesinë familjare që ofron.
Çdo recetë, çdo filxhan kafeje dhe çdo ëmbëlsirë mbart brenda një pjesë të historisë së tyre.
“Sot, pas 11 vitesh, e ndjejmë ende po atë emocion që patëm ditën e parë,” thonë vëllezërit. “Sepse për ne, KIMI nuk është vetëm një lokal. Është fryma jonë, është kujtimi i babait, është ëndrra që vazhdon të rritet çdo ditë.”
11 vite më vonë – po ajo dashuri, po ai pasion
Sot, “KIMI CAFÉ & CAKEHOUSE” është më shumë se një vend ku pihet kafe apo shijohen ëmbëlsira. Është një histori suksesi që tregon fuqinë e familjes, punës së ndershme dhe dashurisë për detajin.
Nga kamini i vogël i Varoshit, deri te ambientet moderne të sotme, rrugëtimi i “KIMI”-t është dëshmi se kur një ëndërr ndërtohet me dashuri, ajo nuk shuhet – vetëm rritet.










