Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e një qytetari serb në Kosovë nga xhandarmëria serbe, duke e cilësuar këtë veprim si pjesë të politikave hegjemoniste të Serbisë.
Në një reagim të publikuar, Osmani thekson se ky akt dëshmon qasjen agresive të Serbisë ndaj çdo qytetari që guxon të flasë të vërtetën për regjimin autokratik të Aleksandar Vuçiqit.
“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme”, ka shkruar Osmani.
Presidentja gjithashtu ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht bota demokratike, të reagojë dhe të ndalojë këto sulme që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Osmani ka apeluar edhe te skena politike në Kosovë që të veprojë e të flasë me një zë për mbrojtjen e vendit ndaj tendencave agresive të Serbisë.
