Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot një konferencë për media pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën 2025 nga Komisioni Evropian.
Në këtë konferencë, ku mori pjesë edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, Kurti tha se raporti konstaton se Qeveria e Kosovës ka kryer detyrat me sukses, pavarësisht se është në detyrë.
“Raporti konstaton se kemi kryer detyrat me sukses. Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet i Republikës së Kosovës. Raporti sivjet është pozitiv në pothuajse të gjitha fushat dhe ofron rekomandime të qarta aty ku ka ngecje. Ka progres në 35 fusha dhe ngecje në vetëm tri fusha,” deklaroi Kurti.
Sipas tij, raporti vlerëson me progres edhe ato sektorë që shpesh janë kritikuar në opinionin publik.
“Progresi varion nga i kufizuar në të përparuar. Raporti vlerëson me progres sektorë kyç, ku politikat e Qeverisë sonë janë kritikuar pa bazë solide në opinionin vendor. Ajo që në opinion po karakterizohej si kollaps ekonomik, ky raport tregon se është zhvillim ekonomik,” theksoi Kurti.
Kryeministri në detyrë shtoi se raporti i Komisionit Evropian evidenton përmirësim edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
“Ajo që në opinionin publik reflektohej si prishje e raporteve me jashtë, ky raport tregon progres në marrëdhëniet me jashtë. Në marrëdhëniet me jashtë, raporti thekson avancim të dukshëm,” tha Kurti.
Raporti i Progresit për Kosovën 2025 i Komisionit Evropian vlerëson zhvillimet në sundimin e ligjit, administratën publike, ekonominë dhe dialogun, duke theksuar se Kosova ka shënuar përparim në shumicën e fushave, por mbeten edhe sfida për t’u adresuar.










