Në pesëvjetorin e publikimit të aktakuzës ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar duke kërkuar lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga paraburgimi në Hagë.
Kurti kujtoi momentin kur, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimi ishte arrestuar pak orë pasi kishte vizituar varrin e Astrit Deharit.
Ai tha se që prej asaj dite, katër ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim.
“Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: ‘rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët’. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ai shtoi se që nga dita e parë ka qenë i bindur për padrejtësinë e këtij procesi dhe se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e të akuzuarve.
Sipas tij, Zyra e Kryeministrit i ka dërguar një letër zyrtare kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në shtator të vitit 2022, ku është kërkuar lirimi i tyre me garancitë e nevojshme nga shteti i Kosovës.
“Si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje”, shkroi Kurti.










