Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është vlerësuar se dhënia përsëri e mandatarit Lëvizjes Vetëvendosje përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale.
Në këtë mbledhje është ripërsëritur qëndrimi se PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, dhe se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e ngërçit institucional.
“Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç dëmit politik, ka goditur çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja”, thuhet në komunikatë.









