Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, ka shprehur vlerësimin e tij për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe të gjithë personave të përfshirë në organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Në një postim në Facebook, ambasadori McGurk ka përgëzuar kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin, për menaxhimin e suksesshëm të procesit zgjedhor të mbajtur në tetor dhe nëntor, duke theksuar se përkushtimi dhe profesionalizmi i institucioneve zgjedhore kanë kontribuar në forcimin e demokracisë në vend.
“Me mbylljen e qendrave të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, dua të përgëzoj kryetarin Radoniqi, KQZ-në dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në mbarëvajtjen e procesit. Profesionalizmi dhe angazhimi juaj kanë forcuar proceset demokratike në Kosovë. Urime të gjithë kryetarëve të rinj dhe atyre që janë rizgjedhur, përgjegjësia juaj ndaj qytetarëve fillon që nesër. Me kënaqësi pres t’ju takoj së shpejti”, ka shkruar ai.










