Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës, sot me fillim nga ora 11:00, do të protestojnë sërish para Kuvendit të Kosovës.
Me anë të kësaj proteste, ata do të kërkojnë pagat dhe buxhetin e RTK-së.
Në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Shoqatës Sindikale të Radios së Kosovës, ftohen të gjithë punëtorët e RTK-së, mediat dhe qytetarët që besojnë në të drejtën për informim të pavarur që të bashkohen.
“Protesta organizohet si reagim ndaj mosreflektimit të institucioneve përgjegjëse për transferimin e pjesës së dytë të buxhetit të RTK-së për vitin 2025, ndonëse ky buxhet është miratuar me ligj dhe përbën detyrim ligjor për ekzekutim,” thuhet në njoftim.










