Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur verifikimin e votave për kryetar në balotazhin që u mbajt të dielën në 18 komuna.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi ka filluar në të gjitha qendrat komunale të numërimit.
“Sipas rregullores zgjedhore të KQZ-së për qendrat komunale, në këto qendra do të bëhet verifikimi i rezultateve nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ky aktivitet ka filluar në të gjitha qendrat komunale dhe do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë si dhe në prezencë të vëzhguesëve”, tha ai në një konferencë për media.
Për numërimin e fletëvotimeve të votimit me kusht dhe për personat me nevoja të veçanta, Elezi tha se ky proces do të kryhet pas disa ditësh.










