Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, ka dhënë dëshminë e tij të parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ka folur për përfshirjen amerikane në proceset diplomatike të viteve 1998–1999, raportet me palët ndërluftuese dhe perceptimet për UÇK-në, Ibrahim Rugovën dhe Sllobodan Millosheviçin.
Në fillim të dëshmisë, Hill ka kujtuar vizitën e tij të parë në Kosovë në maj të vitit 1998, duke theksuar se Kosova ishte “një çështje shumë e rëndësishme brenda Ballkanit”, por jo e vetmja zonë e krizës, pasi në atë kohë po zhvillohej edhe lufta në Bosnje dhe Kroaci.
Ai tha se ishte njohur me situatën në Kosovë gjatë dy viteve të shërbimit si ambasador në Tiranë dhe se përfshirja e tij në këtë dosje erdhi pas kërkesës personale të Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
“Mora një telefonatë nga Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, e cila më kërkoi që, përveç detyrave të mia si ambasador i SHBA-së, të merrja përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm për Kosovën”, tha Hill, duke shtuar se i raportonte drejtpërdrejt asaj, ndërsa ishte në komunikim të vazhdueshëm edhe me Richard Holbrooke, që e këshillonte për zhvillimet në rajon.
Sipas tij, Kosova ishte në qendër të diplomacisë amerikane gjatë vitit 1998, duke u diskutuar rregullisht në takimet e Uashingtonit me diplomatët evropianë. “Çdo herë që Sekretarja Albright takohej me homologët evropianë, Kosova ishte ndër temat kryesore të diskutimit,” theksoi Hill.
I pyetur për bashkëpunimet me palët, ai tha se në Serbi kishte komunikuar pothuajse ekskluzivisht me Sllobodan Millosheviçin dhe ekipin e tij, duke e përshkruar atë si burimin e vetëm të informacionit nga Beogradi.
“Në Serbi, çdo gjë kalonte përmes Millosheviçit”, tha ai, duke shtuar se kontaktet me presidentin Ibrahim Rugova në Kosovë ishin të kufizuara dhe nuk mjaftonin për të kuptuar tërësisht pozicionin shqiptar.
Hill foli edhe për takimin mes Rugovës dhe Millosheviçit në Beograd në qershor 1998, të iniciuar nga Holbrooke, duke e cilësuar si një lëvizje që i dëmtoi imazhin Rugovës tek shqiptarët. “Ai nuk dëshironte ta refuzonte SHBA-në, por takimi pati pasoja të rënda politike për të”, tha diplomati amerikan.
Në dëshminë e tij, Hill përmendi gjithashtu vështirësinë për të identifikuar strukturën udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Problemi ishte pamundësia e UÇK-së për të përcaktuar një lider të vetëm me autoritet për të folur në emër të saj”, sqaroi ai. Megjithatë, Hill theksoi se qëllimi i tyre ishte i qartë. “Ata nuk besonin se mund të negociohej me serbët dhe synimi i tyre ishte pavarësia e Kosovës, duke kërkuar ndihmën tonë për ta arritur atë”.
Sa i përket ish-presidentit Hashim Thaçi, Hill tha se nuk kishte dëgjuar asnjëherë akuza për abuzime apo tortura nga ai, përveç një komenti të përgjithshëm nga Millosheviçi.
“I vetmi person që kam dëgjuar të flasë për këtë ka qenë Millosheviçi, dhe askush tjetër”, tha ai.










