Hajdari ka njoftuar se ndaj saj është ngritur aktakuzë në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore.
REZERVAT SHTETËRORE Ngritet aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, të martën, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzë ndaj saj në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.
“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne”, shkroi ajo në Facebook.
Ajo theksoi se sapo ta ketë pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohet më gjerësisht për media.
“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, përfundoi Hajdari.









