Ish-ambasadori, Christopher Hill tha se Adem Demaçi ishte gjithmonë shumë i rreptë dhe strikt për çdo temë.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Hill shtoi se i ndjeri, asokohe kishte një lloj mllefi pasi kishte qenë i burgosur, dhe sipas tij, dihej dhe njihej si një person me opinione të egra ndaj Serbisë.
“Jo vetëm në Kosovë, por edhe pjesa tjetër e Jugosllavisë e dinte këtë. Nuk ishte person me të cilin mund të bashkëpunoje. Nuk ishte person që mund të punoje me një dokument, kishte opinione të forta lidhur me disa rrethana në jetë, dhe shumë mirë që i kishte ato, por në aspektin e bashkëpunimit, nuk ishim të interesuar ta promovonim”, deklaroi Hill.
Christopher Hill: Pavarësia ishte slogan, vështirë të gjendej ndonjë shqiptar që thoshte dua autonomi
Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se shqiptarët e Kosovës çështjen e pavarësisë e kishin slogan. Ai tha se ishte e vështirë të gjendej ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte se duan thjesht autonomi.
“Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen. Çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thonin se ky është qëllimi ynë. Ishte e vështirë të gjeje ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte duam thjesht autonomi”, tha Hill, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.
“Personat shprehnin dhe thonin se unë e mbështes se Kosova do të jetë në Republikë. Pra, si të gjitha republikat tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Pra, kur thoshin republikë e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia”, tha ai.
Hill theksoi se duke e pasur parasysh këtë, edhe filluan që të kërkojnë pika kontakti.
“Duke pasur këtë parasysh, ne filluam të kërkonim pika kontakti që ishin të besueshëm dhe vërtetë që mund të flisnin në emër të UÇK-së”, u shpreh ai.
Hill tha për Adem Demaçin se ka pasur kontakt me atë sepse ishte një person me ndikim. Por, sipas tij, ai më shumë fliste për veten sesa për UÇK-në
“Unë kam shpenzuar kohë me zotin Demaçi sepse ishte një person që kishte ndikim. Nuk besoj që ai fliste për UÇK-në, por fliste më shumë për veten”, deklaroi Hill.










