Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka dalë në përkrahje të Sindikatës së Punëtoreve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) të cilët do të protestojnë të enjten për të kërkuar pagat e tyre.
SBAShK ka shprehur shqetësimin se punëtorët e RTK-së as në ditën e 12 nuk kanë marrë pagë, e për çka i është bërë thirrje Qeverisë që të bëjnë një zgjidhje të menjëhershme dhe mjetet të alokohen.
“Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) shpreh përkrahjen e plotë dhe të palëkundur për Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) dhe të gjithë punëtorët e këtij mediumi publik, të cilët përmes dialogut e veprimeve sindikale po kërkojnë një të drejtë themelore – sigurimin e pagave të tyre të merituara. SBASHK-u ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar në RTK dhe shpreh shqetësimin e thellë për faktin se më 12 nëntor 2025, punëtorët e RTK-së ende nuk kanë marrë pagat e muajit tetor. Kjo gjendje është e papranueshme dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit të punëtorit. SBASHK-u i bën thirrje urgjente Qeverisë në detyrë që të gjejë menjëherë zgjidhje dhe të alokojë mjetet e nevojshme për pagesën e pagave, jo vetëm për muajin tetor, por edhe për muajt në vijim, në mënyrë që të garantohet funksionimi normal i RTK-së dhe mirëqenia e punëtorëve të saj”, thuhet në komunikatën për media.
SBAShK ka shprehur edhe indinjatën në lidhje me siç thonë presionet që ushtrohen mbi punëtorët e RTK-së.
“Po ashtu, SBASHK-u shpreh indinjatën e thellë ndaj çdo forme presioni që, sipas raportimeve, po ushtrohet mbi punëtorët e RTK-së. U bëjmë apel drejtuesve të këtij institucioni publik që të ndalojnë menjëherë çdo presion ndaj të punësuarve dhe të bëhen zëri i tyre për kërkesën më bazike – pagën për punën e ndershme që kryejnë çdo ditë në shërbim të publikut. Në shenjë solidariteti e përkrahjeje sindikale, Kryesia e SBASHK-ut do të marrë pjesë në protestën e nesërme të organizuar nga Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së”, thuhet mes tjerash.
E nëse kjo situatë vazhdon, SBAShK ka paralajmëruar se do të mobilizojë gjithë anëtarësinë e saj për t’u mobilizuar me punëtorët e RTK.
“Gjithashtu, SBASHK-u nuk përjashton mundësinë që, nëse kjo situatë vazhdon, të mobilizojë të gjithë anëtarësinë e saj – nga çerdhet e deri në universitete – për t’u solidarizuar me kolegët e RTK-së, sepse solidariteti ndërmjet punëtorëve është shtylla më e fortë e lëvizjes sindikale. SBASHK-u do të jetë gjithmonë në krah të çdo punëtori që lufton për dinjitetin dhe të drejtën e tij”, përfundon komunikata.









