Deputeti Shaip Kamberi, nga Lugina e Preshevës dhe pjesë e Kuvendit të Serbisë, ka deklaruar se diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk është rastësor apo procedural, por sistematik dhe i qëllimshëm.
Reagimi i tij erdhi pas deklaratës së zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi, lidhur me bllokimin e mjeteve financiare për shqiptarët e Luginës.
Sipas Kamberit, kjo vetëm e konfirmon atë që ai prej vitesh ka denoncuar në Kuvendin e Serbisë.
“Fakti që 3,650 nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë po përdorin 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pagesa përkatëse është refuzuar tri herë pa arsye të specifikuar, tregon shkallën e arbitraritetit administrativ me të cilin trajtohen shqiptarët në këtë shtet. Ky nuk është një gabim bankar, por një metodë e qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për komunitetin tonë. E njëjta logjikë e pengesave u pa edhe me anulimin e subvencioneve bujqësore dhe vonesat e vazhdueshme për funksionimin e institucioneve tona përfaqësuese”, shkruan Kamberi.
Ai thekson se njoftimi i Bislimit ka rëndësi të madhe politike, pasi çështja e mjeteve po kalon nga plani teknik në atë ndërkombëtar dhe po vë re fokusin e Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen.
“Institucionet serbe duhet të kuptojnë se nuk mund të promovojnë ‘dialog’ në Bruksel ndërkohë që përdorin administratën për të sabotuar të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ne do ta vazhdojmë betejën tonë politike dhe institucionale, që çdo fëmijë, çdo familje dhe çdo qytetar i Luginës të trajtohet me dinjitet dhe barazi, sipas standardeve që Serbia pretendon se i respekton”, përfundon Kamberi.










