Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, priti sot në takim Dekanin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Dr. Mirlind Bruçi, së bashku me stafin e tij mbështetës. Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi profesional, duke reflektuar angazhimin e të dy institucioneve për forcimin e partneritetit dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë.
Gjatë diskutimeve, palët shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e zhvillimit të kapaciteteve në Teknologjinë e Informacionit, duke qenë se Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike përgatit kuadro profesionale të domosdoshme për modernizimin dhe digjitalizimin e proceseve brenda ATK-së.
Palët shqyrtuan edhe çështje të tjera me rëndësi strategjike, që lidhen me avancimin e cilësisë së shërbimeve publike, forcimin e mekanizmave të transparencës dhe krijimin e vlerës së shtuar për qytetarët dhe tatimpaguesit përmes bashkëpunimit të ndërsjellë institucional. Diskutimet u përqendruan në identifikimin e fushave konkrete ku ekspertiza akademike dhe teknike e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike mund të kontribuojë në përmirësimin e proceseve operacionale të ATK-së, duke përfshirë analizën e kostove, zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike dhe ndërtimin e kapaciteteve profesionale.
Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e orientuar drejt krijimit të bashkëpunimeve që prodhojnë rezultate të matshme, veçanërisht në ndërtimin e kapaciteteve teknike dhe profesionale që ndihmojnë modernizimin e proceseve të saj të brendshme. Përmes partneriteteve të tilla, ATK synon të forcojë bazën analitike dhe teknologjike të institucionit, të rrisë efikasitetin në ofrimin e shërbimeve dhe të përmirësojë ndërveprimin me tatimpaguesit në përputhje me standardet bashkëkohore të administrimit tatimor.










