Janë ekzekutuar sot pensionet bazike me rritje në Kosovë, nga 120 në 150 euro.
Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se nga ky muaj, pensioni minimal prej 120 euro bëhet 150 euro në muaj.
“Kurse sot me rritjen e paraparë janë ekzekutuar pensionet bazike dhe pensionet për personat me aftësi të kufizuara. Rritjen ekonomike dhe të buxhetit të shtetit po e rishpërndajmë me ata që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Kurti.Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë sot se asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti”.
“Pensioni Bazik të cilin e gjetëm me vlerë 90 euro/muaj në fillim të mandatit, prej sot procesohet me rritje me vlerë 150 euro/muaj. Pra 60 euro rritje brenda mandatit, apo 67%. Ngjashëm edhe Pensionet për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat i gjetëm me 75 euro/muaj dhe nga sot ato bëhen 150 euro/muaj, apo 100% rritje brenda mandatit”, tha ai.
Tutje, ai shkroi se “Gjithashtu, kemi rritur edhe mbështetjen për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, por edhe pensionin invalidor e atë familjar. Qeveria për pensionistët”.
Ndryshe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë pati thënë se nga muaji nëntor do të rriten pensionet dhe shtesat për fëmijë.
Kurti, para kabinetit qeveritar, i ka quajtur këto lajme të mira për qytetarët.
