Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se subjekti i tij politik nuk do ta mbështesë Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë.
Reagimi i tij erdhi pas një deklarimi publik të kryetarit të degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, i cili një ditë më parë sugjeroi se partia duhet ta rimendojë votimin për Konjufcën.
Në një postim në Facebook, Krasniqi kishte argumentuar se Aleanca duhet të marrë në konsideratë mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në nëse kjo do të siguronte stabilitet institucional, shmangien e zgjedhjeve të reja dhe zgjidhjen e çështjes së presidentit.
Ai shprehu bindjen se, nëse ka sinqeritet nga Konjufca dhe VV, AAK-ja dhe kryetari Haradinaj do të dinin të merrnin vendimin e duhur për të mirën e vendit.
Por, Xhemaili e kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se kryesia e AAK-së tashmë ka marrë vendimin se zgjidhja e vetme për situatën aktuale politike janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas tij, çdo propozim tjetër duhej të ishte paraqitur brenda forumeve të partisë, sidomos në mbledhjen e kryesisë të mbajtur të enjten, ku – siç theksoi ai – Krasniqi kishte munguar.
Ndërkohë, Glauk Konjufca, i cili u mandatua më 4 nëntor për të formuar qeverinë, ka edhe katër ditë afat për të siguruar 61 votat e nevojshme. Në rast të dështimit, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.









