Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ka reaguar lidhur me vjedhjen e targave të veturave të kosovarëve në Lubjanë, gjatë ndeshjes së futbollit Kosovë-Slloveni, të zhvilluar të shtunën.
Në një postim në Facebook, MPJD ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit kosovarë të prekur dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni njofton se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Slloveni–Kosovë, ka pranuar disa thirrje telefonike nga shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët kanë raportuar mungesën e targave të veturave të tyre. Bazuar në raportimet e deritanishme, dyshohet se disa veturave u janë hequr targat. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar. Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni po merret me rastin dhe po bashkërendon veprimet me autoritetet përkatëse. Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Paraprakisht, Ambasada e Kosovës në Slloveni ka reaguar, duke iu kërkuar të gjithë shtetasve kosovarë që mbetën pa targa automjetesh të shtunën, të lajmërohen për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin në Kosovë.
Ambasada ka theksuar se rastet duhet të paraqiten fillimisht në Policinë e Republikës së Sllovenisë dhe se shtetasit kosovarë mund të kontaktojnë linjën emergjente të Ambasadës për çdo informacion shtesë.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Lubjanë njofton të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë mbetur mbrëmë pa targa të automjeteve që të lajmërohen për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin në Kosovë. Nënkuptohet, rastet duhet të paraqiten fillimisht në Policinë e Republikës së Sllovenisë. Për informata shtesë ju lutemi kontaktoni linjën emergjente të Ambasadës në numrin: +386 31 465 221. Ju faleminderit për bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës së Kosovës në Slloveni.










