Një rast i falsifikimit të parasë është zbuluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan.
Rasti lidhet me një incident të ndodhur më 20.11.2024, ku i dyshuari E.K, 21 vjecar, kishte tentuar të depononte shumën prej 900 euro (18 bankënota nga 50€) në Raiffeisen Bank – Gjilan.
Paratë janë sekuestruar dhe dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Forenzikës, ku është konfirmuar se bankënotat ishin të falsifikuara. Pas këtij momenti, njësia hetimore ka ndërmarrë veprime për ta lokalizuar të dyshuarin, mirëpo ai nuk ishte i kapshëm, pasi jetonte jashtë vendit.
I dyshuari ka qenë në kërkim policor që nga dita e incidentit, deri më 16.11.2025, kur është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë hyrjes në territorin e Kosovës. Më pas është shoqëruar në NJRHKEK–Gjilan për procedurat e mëtejshme.
Gjatë intervistimit, i zhvilluar në prani të avokatit mbrojtës, është krijuar dyshim i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale “Falsifikim i parasë”, sipas nenit 296 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurorja e rastit., ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Gjilan.
Hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.










