Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka vlerësuar si fitore ligjore për bizneset vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e dy neneve të Udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Përmes një reagimi në Facebook, OEK e ka cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm drejt një tregu energjetik më të drejtë dhe transparent.
Ky vendim, sipas OEK, mbron interesat e bizneseve dhe konsumatorëve jo-familjarë, veçanërisht lidhur me faturimin e qershorit 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025.
“OEK mbetet e përkushtuar për të siguruar konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zbatimin e këtij vendimi dhe të angazhohemi në krijimin e rregulloreve të reja në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë dhe nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017.










