Sot është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
Në ditën e fundit të afatit 15-ditor për finalizimin e këtij procesi, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në orën 14:00 për të shqyrtuar dhe votuar kabinetin e ri qeveritar.
Para kësaj seance, në orën 11:00 është thirrur një seancë tjetër me disa pika të rendit të ditës, sikurse janë formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Mandatari për formimin e Qeverisë, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ende nuk e ka bërë të ditur nëse ka siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë deklaruar se nuk do ta votojnë mandatarin e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcën, për formimin e institucioneve të reja.
Në ditën kur u caktua mandatar, Konjufca u bëri thirrje partive tjera politike që t’i linin anash inatet dhe të votonin për një qeveri të përkohshme deri në prillin e vitit tjetër – kur i skadon mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani – por, partitë e mëdha shqiptare e bënë të qartë se nuk kanë votë për të.










