Dy emra të njohur të skenës muzikore shqiptare, Burim Demiri dhe tenori i mirënjohur Kastriot Tusha, kanë bashkuar talentin e tyre për të sjellë këngën e re me titull “Të fala nga Presheva”, një projekt i cili ngjall emocione të thella dhe përçon një mesazh të fuqishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Kënga, e kompozuar dhe me tekst nga vetë Burim Demiri, përfaqëson një dedikim të ndjerë për Preshevën dhe historinë e saj. Interpretimi i Demirit, i ndërthurur me zërin brilant dhe mjeshtëror të tenorit Kastriot Tusha, krijon një atmosferë artistike që prek shpirtin dhe rikujton sfidat e përditshme me të cilat ballafaqohen shqiptarët në këtë trevë.
Orkestrimi profesional mban firmën e Nexhat Mujovit – Wirusi, i cili ka sjellë një dimension të veçantë muzikor që e ngrit edhe më shumë ndjeshmërinë e këngës.
“Të fala nga Presheva” vjen si një mesazh artistik, kulturor dhe emocional, duke trajtuar tematika që lidhen me jetën, identitetin dhe përballjet historike të shqiptarëve të Luginës. Ky projekt pritet të gjejë jehonë të gjerë si në publikun e Kosovës, ashtu edhe në atë të diasporës./Radio Star/










