Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka vlerësuar lart paraqitjen e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës në një koncert të mbajtur mbrëmë në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Vatikan, duke e cilësuar si një natë që i ka mbushur me krenari.
Aty ishte prezent edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Koncerti u realizua në bashkëpunim me Fondacionin Bartolucci, në kuadër të aktiviteteve të Jubileut në Vatikan.Çeku tha se performanca e orkestrës, koreve dhe solistëve Besa Llugiqi, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso dhe Biagio Pizzuti, nën drejtimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, solli një interpretim të fuqishëm të oratoriumit “La Tempesta sul Lago” të Domenico Bartoluccit.
Ai theksoi se mbrëmja dëshmoi fuqinë e artit si përfaqësuesi më i mirë i shtetit në skenat ndërkombëtare, përballë një audience të gjerë kulturore e diplomatike, duke përgëzuar institucionet dhe artistët për punën e jashtëzakonshme.
Postimi i tij i plotë:
Një mbrëmje që na mbush me krenari.
Sonte, në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës u paraqitën me një koncert që do të mbetet gjatë në kujtesën e secilit. Koncert ky që u realizua në bashkëpunim me Fondacionin Bartolucci, si pjesë e aktiviteteve të Jubileut në Vatikan.
Orkestra dhe koret tona, së bashku me solistët Besa Llugiqi, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso dhe Biagio Pizzuti, nën drejtimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, sollën një interpretim të fuqishëm, me plot emocion të oratoriumit “La Tempesta sul Lago”, nga Domenico Bartolucci.
Kjo mbrëmje ishte edhe një dëshmi e fuqisë së artit, si përfaqësimi më i mirë i shtetit tonë në skenat e mëdha botërore, përballë një audience të pasur kulturore e diplomatike.
Përgëzime për drejtuesit e Filharmonisë, Operës së Kosovës, instrumentistët dhe koristët për punën e mrekullueshme.









