Agjencia e Statistikave të Kosovës bënë të ditur se të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 7.5% në muajin tetor 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 530,0 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 493 milionë euro në vitin 2024.
Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me vetëm 14.8%.
“Eksporti i mallrave në muajin tetor 2025 kishte vlerën 91,8 milionë euro, ndërsa importi 621,8 milionë euro, që është një rritje prej 5,1% për eksport, si dhe një rritje prej 7,2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, thuhet në raportin e ASK-sw. Ndërsa, në muajin shtator të këtij viti, vlera e importit ishte 606.2 milionë euro.
ASK thotë se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10,5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,9% e përbëjnë produktet minerale; 6,9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 13,4% e përbëjnë mjetet e transportit; 12,5% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,2% e përbëjnë produktet minerale; 9,9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.
Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 31,1 milion Euro, ose rreth 33,8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10,30%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,9%), Holanda (3,2%), Italia (2,7), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 284,3 milion Euro, ose 45,7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11,3%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (15,7%), Italia (5,8%), Polonia (3,4%), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 39,6 milion Euro, ose 43,1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-0,8%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (15,3%), Maqedonia e Veriut (12,5%), Serbia (6,9%), Mali i Zi (6,8%), etj.
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 75,5 milion Euro, ose 12,1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1,4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,0%), Serbia (3,6%), Shqipëria (3,2%).
Eksportet e Kosovës me vende të tjera
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 21,1 milion Euro, ose 23,0%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,6%) dhe Turqia (3,2%).
“Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 262,0 milion Euro, ose 42,1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (14,4%) dhe Turqia (12,7%)”, thuhet në raportin e ASK-së.









