Arbër Ismajli thotë se komuna e Gjilanit po përballet me një gjendje të rëndë financiare dhe institucionale, duke theksuar se qyteti nuk ka më nevojë për arsyetime, por për marrje përgjegjësie.
Ai kritikon keqmenaxhimin shumëvjeçar, rritjen e borxheve dhe mungesën e shërbimeve bazë, të cilat sipas tij e kanë çuar komunën drejt falimentimit.
Statusi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Gjilani sot nuk ka nevojë, e besa as kohë, për arsyetime nga ekzekutivi. Ka nevojë për përgjegjësi dhe marrje të fajësisë. Sepse kur qytetari mbetet pa shërbime bazë, kur mantelbardhët largohen nga puna dhe kur mbi 300 punëtorët e Ndërmarrjes “Tregu” me muaj të tërë presin pagat e tyre, fajet nuk mund të barten tek procedurat, e as tek askush tjetër. Ato janë rezultat i drejtimit të dobët dhe mosmenaxhimit të duhur.
Nëse Prishtina sot është e bllokuar, Gjilani është para falimentimit financiar. Dallimi qëndron te fakti se këtu prej katër vitesh raportet e auditorit janë të këqija, borxhet vetëm sa janë rritur dhe shpenzimi i parasë publike është bërë sipas tekave të z. Hyseni. Investimet ad-hoc, të shpërndara vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve për blerje votash, janë pjesë e së njëjtës qasje që e ka sjellë qytetin në krizë.
Gjilani meriton menaxhim të duhur që garanton stabilitet, jo kriza të njëpasnjëshme. Fundja, nëse nuk dini të menaxhoni, mos i zaptoni zyret, por lironi ato!










