Sipas informacioneve të siguruara nga Radio Star përmes burimeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, thuhet se subjekti politik po planifikon të rikandidojë një numër të konsiderueshëm të deputetëve të saj aktualë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Burimet bëjnë të ditur se në listën garuese pritet të përfshihen sërish Arijeta Rexhepi, Arbereshe Kryeziu-Hyseni, Labinot Demi Murtezi, Luan Aliu, Liza Gashi dhe Adriana Matoshi — figura që kanë përfaqësuar partinë edhe në legjislaturën e kaluar.
Gjithashtu, theksohet se lista zgjedhore mund të pasurohet me emra të rinj, të cilët konsiderohen si potencial për të sjellë vlerë të shtuar brenda subjektit, duke reflektuar një kombinim të kontinuitetit dhe hapjes për prurje të reja.
Sipas të njëjtave burime, procesi i brendshëm i konfirmimit të kandidatëve është drejt finalizimit, ndërsa rikandidimi i deputetëve aktualë shihet si pjesë e strategjisë së Vetëvendosjes për të ruajtur stabilitetin dhe koherencën politike në prag të zgjedhjeve të fundvitit. Konfirmimet zyrtare pritet të publikohen nga partia në ditët në vijim./Radio Star/










