Arben Mustafa, një prej figurave të njohura të ekonomisë në vend, tashmë është bërë pjesë e garës zgjedhore të 28 dhjetorit si kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës. I profilizuar në fushën e analizave ekonomike dhe politikave financiare, Mustafa konsiderohet një prej ekspertëve më aktivë të gjeneratës së re akademike dhe profesionale në Kosovë.
Mustafa është profesor i ekonomisë në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, ku ligjëron lëndë nga mikroekonomia, makroekonomia, bankat dhe financat, si dhe politikat monetare. Karriera e tij akademike ka filluar në vitin 2008, periudhë gjatë së cilës ka qenë i angazhuar edhe në një nga universitetet private të vendit. Përgjatë dy dekadave të fundit, ai ka kontribuar në përgatitjen e gjeneratave të reja të ekonomistëve, duke sjellë qasje bashkëkohore dhe njohuri praktike në fushën e ekonomisë.
Përveç angazhimit akademik, Mustafa ka ndërtuar një përvojë të konsiderueshme institucionale. Që nga viti 2007 ai ka ushtruar funksione të rëndësishme në kuadër të Departamentit për Analiza Ekonomike dhe Stabilitet Financiar në Bankën Qendrore të Kosovës. Aktualisht, ai shërben si Këshilltar i Lartë për Mbikëqyrje Financiare, rol në të cilin merret me vlerësimin e rreziqeve, politikat mbikëqyrëse dhe funksionimin e sektorit financiar në vend.
Studimet themelore Mustafa i ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe ato të doktoratës në Staffordshire University në Mbretërinë e Bashkuar. Ai është autor dhe bashkautor i dhjetëra punimeve shkencore, pjesëmarrës në konferenca ndërkombëtare dhe ndjekës i shumë programeve trajnuese profesionale në fushën e ekonomisë dhe metodologjisë së mësimdhënies.
Me hyrjen e tij në garën zgjedhore, Mustafa pritet të sjellë perspektivë profesionale në debatin politik, veçanërisht në fushat që lidhen me ekonominë, stabilitetin financiar dhe zhvillimet strukturore në vend./Radio Star/









