Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka publikuar sot të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sipas të cilave depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare në banka kanë arritur vlerën rekord prej 4.69 miliardë euro në fund të muajit tetor.
Në postimin e tij, Murati theksoi se depozitat familjare janë rritur me 2.12 miliardë euro, përkatësisht 82.5%, krahasuar me tetorin e para pesë viteve, kur ato kapnin shifrën prej 2.57 miliardë euro.
Sipas tij, kjo rritje është dukshëm më e lartë sesa rritja e depozitave në pesëvjeçarin para ardhjes së Qeverisë Kurti, kur kursimet familjare ishin rritur me 745 milionë euro, ose 40.8%.
“Faktet çmontojnë propagandën”, shkroi Murati, duke theksuar se gjatë viteve 2020–2025 rritja e kursimeve të familjeve ka qenë më shumë se dyfish më e shpejtë krahasuar me periudhën paraprake.
Të dhënat e publikuara tregojnë një trend të qëndrueshëm rritës të depozitave familjare, ndërsa pritet që BQK dhe institucionet e tjera financiare të japin më shumë analiza rreth faktorëve që ndikuan në këtë rritje, përfshirë të ardhurat, remitencat dhe gjendjen e tregut të punës.










