Afrim Shala, gjyqtar në Gjykatën Supreme tha se aktgjykimet varen nga provat që i siguron organi i akuzës. Sipas tij, cilësia e hetimeve duhet të ndryshohet.
Shala tha se vepra penale e keqpërdorimi të detyrës zyrtare është një vepër pak më e komplikuar sesa veprat tjera, duke shtuar se gjykata duhet të ndajnë drejtësinë qoftë me aktgjykim lirues apo dënues.
Gjyqtari tha se çfarë lloj aktgjykimi merr gjykata, varet nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësore, e që është përgjegjësi e organit të akuzës që t’i sigurojë ato.
Duke iu referuar raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Shala tha se pajtohet që cilësia e hetimeve duhet të ndryshohet në kuptimin që prokurorët të orientohen në sigurimin e provave që secila të argumentojnë elemente e veprës penale.
Shala tha se shpeshherë kanë parë se organi i akuzës që është i thirrur që ta bëjë një gjë të tillë, arrin ta vërtetojë çdo element të kësaj vepre penale.
Një gjë e tillë, sipas gjyqtarit është ndryshe në rastet për marrje ryshfeti, derisa shtoi se kanë një numër më të madh të aktgjykimeve dënuese.
Ndërsa, Afërdita Bytyqi, gjyqtare në Gjykatën e Apelit tha se tek lëndët e natyrës së korrupsionit, shumë rrallë ka marrëveshje për pranim fajësie dhe 90 % të akuzave kalojnë pa këtë proces. Rastet e tilla, Bytyqi i quajti komplekse.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën organizoi tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit me titull: “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, aktivitet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2025”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër korrupsionit”. /BetimipërDrejtësi/

