Nexhmije Karaqi ka reaguar publikisht ndaj disa mediave që kanë publikuar lajme të pavërteta për arrestime të dyshuara në afera korruptive, duke sqaruar se ajo nuk është arrestuar dhe nuk ka asnjë lidhje me rastin në fjalë.
Sipas saj, bëhet fjalë për një identifikim të gabuar të bazuar vetëm në iniciale të ngjashme, ndërsa publikimi i emrit dhe fotografive të saj ka shkaktuar dëm serioz moral dhe presion psikologjik për të dhe familjen e saj.
Karaqi ka paralajmëruar se ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë veprime ligjore ndaj mediave dhe personave përgjegjës, duke kërkuar fshirjen e menjëhershme të përmbajtjes së pavërtetë dhe publikimin e një përgënjeshtrimi zyrtar.
Statusi i plote:
NJOFTIM PUBLIK
Në lidhje me publikimet e fundit të disa mediave për arrestime lidhur me afera korruptive, sqaroj publikisht se NUK jam arrestuar, NUK jam personi i përfshirë, dhe NUK kam asnjë lidhje me këtë çështje. Bëhet fjalë për një identifikim të gabuar, të bazuar vetëm në iniciale të ngjashme.
Publikimi i emrit dhe/ose fotografive të mia përbën:
informacion të pavërtetë dhe shpifës,
cenim të reputacionit dhe nderit,
shkelje të së drejtës së personalitetit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin civil në fuqi.
Këto veprime kanë shkaktuar dëm serioz moral dhe presion psikologjik për mua dhe familjen time.
Ju njoftoj se jam duke ndërmarrë veprime ligjore, përfshirë padi civile për shpifje dhe dëm moral, ndaj mediave dhe personave përgjegjës.
Kërkoj:
fshirjen e menjëhershme të përmbajtjes së pavërtetë, dhe
publikimin e një korrigjimi dhe përgënjeshtrimi zyrtar.
Çdo shpërndarje e mëtejshme e këtij informacioni të pavërtetë do të trajtohet në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës.

