Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka ngritur alarmin lidhur me reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike, duke paralajmëruar pasoja serioze për bizneset në vend.
Sipas një komunikate për media, reduktimet e ashpra të energjisë po aplikohen pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e sektorit privat.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me reduktimet e ashpra të energjisë që po aplikohen thuajse në të gjithë vendin dhe pasojat serioze që kjo gjendje po shkakton për bizneset,” thuhet në komunikatën e DhTIK-së.
Më tej, DhTIK bën të ditur se gjatë ditëve të fundit është njoftuar nga një numër i madh i bizneseve anëtare për ndërprerje të shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë elektrike.
“Këto ndërprerje po shkaktojnë rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit të bizneseve,” theksohet në njoftim.
DhTIK vlerëson se kjo situatë është përkeqësuar edhe më tej nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16.1% për konsumatorët e rregulluar, si dhe nga dalja e mbi 1300 bizneseve në tregun e hapur të energjisë.
Sipas tyre, këto zhvillime tashmë kanë prodhuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe po ndikojnë negativisht në konkurrueshmërinë e sektorit privat.
Në fund, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës u ka bërë thirrje akterëve përgjegjës të sektorit energjetik që të veprojnë urgjentisht.
“U bëjmë thirrje të gjithë akterëve përgjegjës që të ndërmarrin veprime urgjente dhe konkrete për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, rritjen e transparencës në menaxhimin e sistemit energjetik dhe garantimin e kushteve të qëndrueshme për funksionimin e bizneseve dhe ruajtjen e vendeve të punës,” përfundon komunikata.

