Më datë: 23.12.2025, Bordi i Drejtorëve i KRU “Hidromorava” Sh.A. mbajti Mbledhjen e dymbëdhjetë (XII) të rregullt për vitin 2025, në të cilën u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me performancën e përgjithshme të Ndërmarrjes dhe me garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë për konsumatorët 🚰.
Në këtë mbledhje, Bordi shqyrtoi dhe miratoi pikat kryesore në vijim:
Raporti i punës për muajin nëntor 2025, ku u diskutuan sfidat aktuale dhe u prezantuan planet për periudhat në vijim, me theks të veçantë në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit me ujë gjatë muajve të ardhshëm. Duke marrë parasysh ndikimin e ndryshimeve klimatike, rritjen e konsumit sezonal dhe presionet mbi infrastrukturën ekzistuese, Ndërmarrja po vlerëson masa parandaluese dhe zgjidhje të qëndrueshme për të siguruar furnizim të pandërprerë dhe në cilësinë e kërkuar për të gjithë konsumatorët 🌧💧.
Aprovimi i Planit për Sigurinë e Ujit (PSU), si dokument kyç për menaxhimin e rreziqeve dhe garantimin e sigurisë së ujit të pijshëm.
Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve zhvilloi një punëtori dyditore, në kuadër të së cilës u trajtuan dhe më pas u aprovuan në mbledhje këto çështje me rëndësi strategjike:
Plotësimi/ndryshimi i Rregullores mbi Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës;
Finalizimi dhe aprovimi i Draft Kodit të Etikës Profesionale dhe Standardit të Veshjes në KRU “Hidromorava” Sh.A.
Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti shprehën mirënjohje dhe falënderim të veçantë për të gjithë të punësuarit e Ndërmarrjes, për punën e palodhshme, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë vitit, duke kontribuar drejtpërdrejt në funksionimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ndërmarrjes.
Po ashtu, u shpreh falënderim i veçantë për Ministrinë e Ekonomisë, konkretisht NJPMNP, për Komunat përkatëse për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe për të gjithë donatorët, për mbështetjen dhe kontributin e tyre të çmuar në realizimin e projekteve dhe përmirësimin e shërbimeve.
KRU “Hidromorava” Sh.A. mbetet e përkushtuar të avancojë performancën institucionale, të reduktojë humbjet teknike dhe komerciale, si dhe të forcojë besueshmërinë e sistemit të furnizimit me ujë, me qëllim ofrimin e shërbimeve të sigurta, të qëndrueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët.

