Nga 1 janari sipas ligjit të ri do të nisë të zbatohet norma progresive e tatimit në pronë. Në bazë të ligjit pritet që pronave komerciale t’u rritet tatimi, siç thuhet, deri 300%. Në këtë situatë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, përmend ambientin e rënduar në Kosovës për bizneset.
“Mes shumë sfidave që ka kaluar biznesi, sfidë e radhës është edhe kjo, ligji i ri për tatimin në pronë që rrezikon bizneseve tu rritet tatimi në pronë deri në 200-300%…”, tha Rafuna për RTV21.
Qeveria në vitin 2024 përmes ligjit për buxhetin kishte prolonguar ligjin e ri për tatimin në pronë për janarin e viti 2026. Arsyetimi i ministrisë për shtyrjen e zbatimit të këtij ligji lidhet mos funksionalizimin e sistemit që bënë përllogaritjet e reja. Ndërkohë, në këtë situatë ish-ministri i financave Haki Shatri përmend sfidat që ka shtyrja e serishme e këtij ligji.
“Këta atë vit e shtynë ligjin përmes ligjit për buxhetin, dihet që atëherë kanë pasur 51% dhe ajo arroganca e numrave edhe ndodhi qysh ndodhi u prolongua. Tash prape përmes ligjit për buxhetin në një nen të veçante kanë vendosë me e shty, por, zvarritja që bënë në mosfromimin e institucioneve dhe shkuarja sërish në zgjedhje rrezikon që bizneset kësti i parë i tatimit në pronë t’i prekë me dyfish apo trefish më shtrenjtë bizneset…”, tha Shatri.
Aktualisht shkalla tatimore për pronat komerciale është 0.17% e vlerës së pronës. Në bazë të shkallës tatimore progresive komunat kanë hapësirë që të tatimojnë një pronë prej 0.10% të vlerës së saj deri në 1%. Në këtë mënyrë nëse vlera e një prone biznesore është 7 milionë euro dhe e njëjta me ligjin aktual ka paguar tatim rreth 12 mijë euro me shkallën tatimore progresive i bie të paguaj tatim mbi 26 mijë euro. Ndërkohë për pronat me vlerë mbi 100 milionë euro, bizneset do të paguajnë tatim minimalisht rreth 600 mijë euro. Në gjithë situatën e krijuar, shqetësimi kryesor për bizneset mbetet mos formimi i institucioneve të cilat do të mund të adresonin sfidën e radhës që i pret bizneset për këtë çështje.
“Rreziku është që s’ka institucione dhe ligji do të hyjë në fuqi pa pasur mundësi të ndërrohet…”, tha Kushtrim Ahemti nga dhoma e tregtisë.
Taksa progresive e tatimit në pronë e cila shtrenjton tatimin në pronë për bizneset deri në 200% u tha se ndikon negativisht edhe tek investitorët e huaj për të cilët vlerësohet se Kosova ka nevojë të madhe.

