Rezultatet e zgjedhjeve të fundit duhet lexuar me gjakftohtësi dhe pa justifikime artificiale. Ato prodhuan një fitues të qartë dhe një opozitë të dobësuar, por mbi të gjitha treguan se shumica e qytetarëve e zgjodhën ofertën e Lëvizja Vetëvendosje, jo sepse ishte domosdoshmërisht perfekte, por sepse përballë saj nuk panë ndryshim real, reformë apo qasje të re politike nga partitë e tjera.
Pesha kryesore e këtij rezultati bie mbi partitë e renditura në vendin e dytë dhe të tretë. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës hynë në këto zgjedhje pa e lexuar si duhet mesazhin e elektoratit nga zgjedhjet paraprake. Humbja e shkurtit ishte paralajmërim i qartë. Megjithatë, asnjë reflektim serioz nuk ndodhi. Të njëjtët liderë, të njëjtët kandidatë dhe e njëjta qasje politike u rikthyen në garë, sikur rezultati i mëparshëm të mos kishte ekzistuar.
Në praktikën politike, humbja është momenti kur një parti duhet të ndalet, të analizojë dhe të ndryshojë. Kur kjo nuk ndodh, humbja e radhës nuk është fatkeqësi, por pasojë logjike. Demokracia nuk funksionon me autopilot dhe as me lidership të përhershëm, të paprekshëm nga verdikti i votës.
Ndryshe nga dy partitë kryesore opozitare, partia e renditur e katërta, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duhet trajtuar me më shumë realizëm. Kalimi i pragut zgjedhor në një klimë të polarizuar politikisht është sukses relativ dhe tregon se ekziston ende një bërthamë elektorale e qëndrueshme, edhe pse larg ndikimit vendimmarrës.
Zgjedhjet e fundit nuk janë fund i politikës pluraliste në Kosovë, por janë një pasqyrë e qartë e saj. Fituesi fitoi sepse u perceptua si ofertë më e besueshme në atë moment. Humbësit humbën sepse nuk pranuan të ndryshojnë. Derisa përgjegjësia politike të mos kthehet në standard, e jo në përjashtim, do të vazhdojmë të kemi fitore pa dashuri dhe humbje pa përgjegjësi.
Agim Zuzaku, autori i shkrimit është njohës i mirë i zhvillimeve politike dhe profesor doktor i ekonomisë.

