Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e disa mesazheve që po qarkullojnë, të cilat në mënyrë të rreme pretendojnë se janë dërguar nga Posta e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Policia ka bërë thirrje që të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë, të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare, të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve, të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese.
Policia ka thënë se këto mesazhe përmbajnë linqe mashtruese, të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët për të siguruar të dhëna personale dhe të dhëna të kartelave bankare, me qëllim të keqpërdorimit financiar.
“…nëse kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, menjëherë ta raportojnë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës. Po ashtu, rasti duhet të raportohet edhe në stacionin policor më të afërt”, thuhet në njoftim.

