Një incident me mjete piroteknike është shënuar në natën e ndërrimit të viteve në Gjilan, ku një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim të specializuar në QKUK.
Ngjarja ka ndodhur më 31.12.2025, rreth orës 23:20, në rrugën “Xheve Lladrovci”. Sipas informatave, viktima A.I., i lindur më 1982, është lënduar aksidentalisht derisa ishte duke ndezur fishekzjarrë, duke pësuar dëmtime në pjesën e stomakut, konkretisht në zonën e kërthizës.
Fillimisht, i lënduari ka pranuar ndihmën e parë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit, ndërsa më pas, me rekomandim të mjekut kujdestar, është transferuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokuroria kompetente. Me udhëzim të prokurores kujdestare, rasti është proceduar në Njësinë e Hetimeve për veprime të mëtejshme.
Rasti po trajtohet si lëndim aksidental nga mjete piroteknike.

