Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), ka publikuar raportin e përditësuar për gjendjen në terren si pasojë e reshjeve atmosferike, për periudhën nga ora 22:00 deri në 08:00.
Sipas raportit të bazuar në të dhënat nga Qendrat Operative Emergjente 112, Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, drejtoritë komunale për siguri si dhe thirrjet e qytetarëve, situata ka paraqitur vështirësi në disa rajone të vendit.
Në Prishtinë, janë raportuar vërshime në rrugën e Qagllavicës, nënkalimin përkatës dhe në Shkabaj, kryesisht si pasojë e bllokimit të kanalizimeve. Në Fushë Kosovë, vërshime janë regjistruar në fshatin Lismir, ndërsa rruga në Kuzmin është bllokuar për qarkullim. Në Obiliq, disa segmente rrugore kanë qenë të bllokuara, përfshirë nënkalimin në dalje të autostradës në Mazgit dhe rrugët Hamedi–Plemetin dhe Obiliq–Palaj.
Në Drenas, janë raportuar vërshime në disa lokale dhe oborre shtëpish, ndërsa në Graçanicë ka pasur vërshime në rrugën afër Prishtina Mall dhe në fshatin Radevë. Ndërkohë, në Lipjan, Podujevë dhe Shtime, situata është qetësuar dhe niveli i lumenjve ka rënë.
Situata më e ndjeshme është shënuar në Mitrovicë të Jugut, ku pas rritjes së nivelit të lumit Sitnica është konstatuar rrezik real për dalje nga shtrati në lagjen “2 Korriku”. AME ka kërkuar angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbështetje parandaluese, ndërsa niveli i rrezikut është vlerësuar si i mesëm. Operacioni i përbashkët ka përfunduar me sukses në orët e hershme të mëngjesit, ku janë vendosur rreth 200 metra mur mbrojtës me thasë zalli.
Në Rajonin e Pejës, është shënuar një intervenim në fshatin Kliqinë për shkak të rrezikimit të disa shtëpive, ndërsa në rajonet e Prizrenit, Gjakovës dhe Gjilanit, gjendja paraqitet kryesisht e qetë, me disa raste të izoluara vërshimesh dhe intervenimesh.
AME bën të ditur se pompat me kapacitet të lartë të KEK-ut janë në funksion të plotë dhe se institucionet relevante mbesin në gatishmëri të lartë. Po ashtu, theksohet se reshjet e borës që kanë filluar në shumicën e komunave kanë ndikuar në uljen e rrezikut nga vërshimet, ndërsa monitorimi dhe kujdesi për të prekurit vazhdon.









