I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, pritet ta vizitojë Prishtinën dhe më pas Beogradin, me qëllim avancimin e procesit të dialogut.
Kjo vizitë vjen menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë dhe pas pajtimit të vendeve anëtare të BE-së për vazhdimin e mandatit të diplomatit danez në këtë post edhe për së paku dy vjet.
Sipas planit, Sorensen të mërkurën do të jetë në Prishtinë, ku Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se presidentja Vjosa Osmani do ta prisë me fillim nga ora 10:00.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, emisari i BE-së pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, përfaqësues të partive opozitare.
Pas vizitës në Kosovë, Sorensen do të udhëtojë për në Beograd për takime të ngjashme me autoritetet serbe.










