Afrim Kqiku është një histori e gjallë e qytetit të Gjilanit, një arkiv i përjetshëm kujtimesh dhe çastesh të fiksuara përmes objektivit të tij. Ai jetoi dhe dokumentoi dy epoka të rëndësishme: epokën e paraluftës, ku fotografoi realitetin e rëndë të një sistemi pushtues mbi shqiptarët, dhe epokën e pasluftës, ku përmes syrit të tij artistik u pasqyruan të gjitha etapat e proceseve vendore të shtetndërtimit.
Ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të Gjilanit, i palodhshëm në krijimin e një trashëgimie të pasur fotografike, përmes së cilës vërtetohet se fotografia mund ta përjetësojë çastin dhe ta shndërrojë atë në histori. Nuk ka ngjarje, organizim apo mobilizim të rëndësishëm ku mungon gjurma e objektivit të tij.
Që shumë vite para luftës, duke rrezikuar veten dhe familjen e tij, në mënyrë vullnetare dhe me guxim të jashtëzakonshëm, Afrim Kqiku dokumentoi çdo organizim kombëtar, politik e sportiv, duke u shndërruar në dëshmitar të paanshëm të rezistencës, trimërisë dhe përpjekjeve për liri.
Në sytë dhe fotografitë e tij bashkëjetojnë gëzimi, krenaria dhe dhimbja. Përmes tij është dokumentuar historia dhe sakrifica e qytetarëve të Gjilanit në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Ai do të mbahet mend ndër breza si njeriu që i doli përballë çdo rreziku për të mos lejuar që historia e popullit shqiptar të mbetej pa dëshmi.
Afrim Kqiku është krenaria e Gjilanit dhe një pasuri e çmuar e kujtesës sonë kolektive.










