Shfaqja nga Teatri i Tetovës “Dramë për të qesh” e hapi Festivalin e Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2026”, me mirëseardhje nga Drejtori i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu, për të kaluar në deklamimin informativ të festivalit nga katër aktoret e Teatrit të Gjilanit.
Më pas, skena ishte për aktorët e Teatrit të Tetovës. “Drama për të qesh” ndërtoi një satirë të drejtpërdrejtë dhe shumëplanëshe mbi vetë profesionin e aktorit, mbi teatrin si institucion dhe mbi raportin problematik që ai ka sot me publikun, politikën dhe kulturën dominuese të “të bërit art për t’u konsumuar shpejt”, apo me dilemën për të inskenuar dramat e mëdha botërore siajo e Shekspirit. Në qendër të saj nuk qëndron vetëm një histori, por vetë teatri si fenomen shoqëror, i zhveshur nga iluzionet dhe i vënë përballë kontradiktave të tij.
Në planin dramaturgjik, shfaqja ironizoi dramën e stërngarkuar me referenca nga mitologjia dhe letërsia botërore si Shekspiri, veprat e tij si Hamleti dhe modelet e kanonizuara të tragjedisë, të cilat shpesh shërbejnë më shumë si shenja prestigji sesa si gjuhë e kuptueshme për publikun. Kjo krijoi një tension të qëllimshëm mes një regjie që synon ta çojë teatrin drejt një niveli elitar dhe një publiku që nuk arrin të deshifrojë këtë gjuhë, duke e përjetuar shfaqjen si barrë kulturore, e jo si përvojë estetike.
Në këtë përplasje, shfaqja ngre pyetjen thelbësore: për kë bëhet teatri?! Për një ideal abstrakt të artit “të lartë”, apo për një publik konkret që kërkon çlodhje dhe harresë nga hallet e përditshme?! Kërkesa e vazhdueshme për “dramë për të qeshur”, që në thelb nënkupton komedi të lehtë, vendosi në krizë pozicionin e regjisorit, dramaturgut, aktorëve dhe teatrit si institucion edukues, kulturor e çlirues, duke e detyruar artin të negociojë me shijet e masës dhe logjikën e tregut kulturor e atij viral.
Një shtresë tjetër e rëndësishme satirike lidhet me ndërhyrjen e politikës në jetën teatrore, konkretisht në emërimin e drejtorëve të teatrove. Drejtori i paraqitur në shfaqje, i emëruar politikisht dhe pa asnjë lidhje me artin skenik, bëhet figurë simbolike e degradimit institucional: ai e sheh teatrin si administratë, aktorët si vartës dhe shfaqjen si event protokollar. Kjo figurë përfaqëson një realitet të njohur në kontekstin shqiptar, ku pozitat drejtuese shpesh u besohen individëve pa kompetencë profesionale, por me lidhje partiake.
Shfaqja nuk shmang as temat e ndjeshme të abuzimit tëpushtetit, përfshirë ngacmimin seksual dhe raportet hierarkike të shtrembëruara mes drejtuesve dhe aktoreve. Këto momente nuk trajtohen në mënyrë melodramatike, por si pjesë e një sistemi të normalizuar dhune simbolike, ku arti dhe trupi i aktores bëhen objekt negociimi dhe presioni.
Kulmi absurd i veprës vjen me simulimin e vrasjes apo vetëvrasjes së një aktoreje gjatë provës, ku shkakton thirrjen e policisë dhe një alarm të përgjithshëm, ndërkohë që publiku pret për fillimin e shfaqjes. Ky episod ekspozon kufirin e paqartë mes artit dhe realitetit, por edhe paaftësinë institucionale për ta kuptuar teatrin si akt simbolik, duke e trajtuar atë si rrezik apo kaos.
Në plan sociologjik, një nga goditjet më të forta të shfaqjes është kritika ndaj traditës servile të teatrove shqiptare ndaj pushtetit. Vonesa absurde e shfaqjes për shkak të pritjes së një kryetari apo përfaqësuesi politik, i cili shpesh as nuk shfaqet,bëhet metaforë e një kulture ku publiku mbetet gjithmonë i fundit, ndërsa pushteti zë vendin qendror edhe në hapësirën e artit, madje edhe rezervohen ulëset e para e nuk vijnë për t’i parë shfaqjet.
Në përfundim, kjo shfaqje funksionon më shumë si pasqyrë sesa si argëtim. Ajo nuk synon të kënaqë publikun, por ta provokojë atë, duke vënë në dyshim marrëdhëniet mes artit, shijes, pushtetit dhe institucionit teatror. Satira e saj nuk është vetëm estetike, por thellësisht sociale, duke e vendosur teatrin shqiptar përballë nevojës urgjente për vetëreflektim: a është teatri ende hapësirë e mendimit kritik, apo thjesht një skenë e radhës e kompromisit?!
Autor & Regjisor: Sulejman Rushiti
Ass. Regjie: Linda Shabani
Kostumografia: Azra Mehmedi
Interpretojnë: Arsim Kaleci, She Ilazi, Petrit Neziri, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Elmir Sejfullai, Sami Mustafa, Abdulla Osmani, Bekim Jahiu, Linda Shabani dhe Hasim Memishi Sopi
“Talia e Flakës 2026” organizohet nga Varg e Vi, me mbështetje financiare të Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Bankës për Biznes (BPB), në partneritet edhe me Teatrin e Gjilanit, Viva La, Papak dhe vullnetarët e Zërit Rinor-Gjilan.

