Dogana e Kosovës gjatë kontrollit në pikën kufitare në Merdarë ka ndaluar një automjet me targa të huaj ku ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara.
Sipas njoftimit të Doganës, mjetet monetare në total të padeklaruara kanë qenë 15,915 euro dhe 36,780 dinarë serbë.
Dogana ka njoftuar se në përputhje me legjislacionin në fuqi, është bërë konfiskimi i përkohshëm i 25% të shumës së padeklaruar, që përbën vlerën prej 4,055 euro.
“Gjatë kontrollit të detajuar të realizuar në bashkëpunim me Policinë Kufitare, janë zbuluar mjete monetare të padeklaruara në shumën totale prej 15,915 euro dhe 36,780 dinarë serbë. Sipas verifikimeve, një pjesë e mjeteve monetare janë gjetur në një çantë beli, konkretisht 15,450 euro dhe 31,650 dinarë serbë, ndërsa pjesa tjetër është gjetur në kuletë, përkatësisht 465 euro dhe 5,130 dinarë serbë. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, është bërë konfiskimi i përkohshëm i 25% të shumës së padeklaruar, që përbën vlerën prej 4,055 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.

