Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, mbrëmjen e sotme u mbajt Koncerti Solemn për Pavarësi, duke përmbyllur në mënyrë madhështore aktivitetet festive të organizuara për këtë datë historike.
Kryetari Alban Hyseni theksoi se kjo natë festive mori një dimension të veçantë përmes artit dhe kulturës, të cilat bashkuan qytetarët në një atmosferë krenarie dhe emocioni. Sipas tij, nuk mund të kishte përmbyllje më të bukur të kësaj dite se sa një mbrëmje kulturore me pjesëmarrjen e artistëve nga të gjitha trojet shqiptare.
Artistët e pranishëm, përmes performancave të tyre, sollën në skenë vlera të mirëfillta artistike, duke i dhënë hijeshi dhe solemnitet kësaj nate përkujtimore. Koncerti u mirëprit nga qytetarët, të cilët me praninë dhe duartrokitjet e tyre dëshmuan respektin dhe dashurinë për artin dhe për festën e Pavarësisë.
Me këtë aktivitet përmbyllës, u mbyllën zyrtarisht manifestimet në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, duke lënë pas një atmosferë festive dhe një mesazh uniteti e krenarie kombëtare.

