Kam kënaqësinë e veçantë të njoftoj opinionin publik se, me propozimin e Lëvizjes “Vatra”, z. Elbasan Shabani është emëruar Drejtor i Administratës së Përgjithshme në Komunën e Gjilanit.
Si kryetar i Lëvizjes “Vatra”, ia kam propozuar Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, emrin e z. Shabani për të udhëhequr këtë drejtori tejet të rëndësishme për funksionimin efikas të administratës komunale dhe për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.
Me z. Shabani kam një bashkëpunim të gjatë dhe të suksesshëm. Ai ka shërbyer si zëvendësdrejtor në bordin e ndërmarrjes “Eco Higjiena”, si dhe për dy vite ka qenë i angazhuar në kabinetin tim gjatë mandatit si Kryetar i Kuvendit Komunal të Gjilanit. Përvoja e tij institucionale, përkushtimi dhe njohja e proceseve administrative përbëjnë garanci për një drejtim profesional dhe të përgjegjshëm.
Besoj fuqishëm se kjo përgjegjësi e re do të përkthehet në rezultate konkrete dhe në avancimin e mëtejmë të administratës komunale. Na presin shumë punë dhe sfida, por me përkushtim dhe bashkëpunim do të vazhdojmë të punojmë në të mirë të qytetit tonë.

