Pas më shumë se dy vitesh në krye të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Hekuran Rapuca ka përmbyllur zyrtarisht mandatin e tij, duke lënë pas një periudhë të karakterizuar nga investime infrastrukturore, zgjerim të shërbimeve dhe mbështetje të shtuar sociale për qytetarët. Gjatë kësaj kohe, drejtoria që ai udhëhoqi u përball me sfida të shumta, por arriti të realizojë projekte konkrete që synuan përmirësimin e qasjes dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe sociale në komunë.
Në mesazhin e tij përmbyllës, Rapuca e cilësoi këtë periudhë si një rrugëtim me përgjegjësi të mëdha dhe angazhim maksimal, duke theksuar se çdo vendimmarrje është marrë me synimin kryesor për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve të Gjilanit. Ai shprehu mirënjohje për besimin e dhënë nga Kryetari i Komunës, Alban S. Hyseni, si dhe për bashkëpunimin dhe profesionalizmin e stafit shëndetësor e administrativ, të cilët, sipas tij, kanë qenë shtylla kryesore në realizimin e projekteve me rëndësi.
Gjatë mandatit të tij u funksionalizua Ambulanca në lagjen Arbëria, duke rritur ndjeshëm qasjen në shërbime për banorët e kësaj zone, ndërsa ndërtimi i Ambulancës në fshatin Uglar po avancon drejt përfundimit, me qëllim që shërbimet shëndetësore të jenë sa më afër qytetarëve edhe në zonat rurale. Një ndër ndërhyrjet më të mëdha sociale ishte projekti i Banimit të Përballueshëm në vlerë prej 4.5 milionë euro, i cili synon të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për familjet në nevojë. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe u hapën katër laboratorë të rinj në fshatra dhe u shtuan shërbime të reja diagnostikuese, duke rritur standardin e trajtimit dhe efikasitetin e sistemit lokal shëndetësor. Zgjerimi i subvencioneve direkte për qytetarët, përmes mbështetjes për qira, barna dhe pako sociale, përbën një tjetër shtyllë të rëndësishme të punës së kësaj drejtorie, duke synuar lehtësimin e barrës ekonomike për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.
Rapuca uroi suksese në detyrën e re Drejtoreshës aktuale, Mimoza Kadriu, duke shprehur bindjen se projektet e nisura do të vazhdojnë dhe do të thellohen edhe më tej në të mirë të komunës. Ai theksoi se përmbyllja e këtij mandati nuk shënon fundin e angazhimit të tij publik, pasi tashmë do të jetë pjesë e Asamblesë Komunale të Gjilanit, ku është zotuar të vazhdojë të kontribuojë me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Duke falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe besimin, ai e cilësoi këtë fazë si një vazhdim të misionit të tij për një sistem më funksional, më të drejtë dhe më afër qytetarit.

