Kryetari i LVV-së, njëherit kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, foli edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Kurti shpjegoi hapat që ndërmori deri më tani, duke përfshirë takimin me përfaqësuesit e partive opozitare dhe pastaj gjetjen e një figure unifikuese e që gëzon respekt te publiku, e që ishte profesori Murat Jashari ku ky i fundit refuzoi ofertën.
“Zgjedhja e një figure si Murat Jashari edhe sot do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur. Pra ky do të ishte dhe vazhdon të mbetet rasti ideal. Me gjithë këto pas takimit të dytë me kryetarin e PDK, Bedri Hamza, më është kumtuar nga një qëndrim i kryesisë së tyre, që ata konsiderojnë se presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK. Kandidati mund të vijë nga cilido subjekt, por në fund zgjedhjen për president nuk e garanton përkatësia partiake por votat në Kuvend. Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që çdo subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit”, tha ai.
Kurti tha se nesër do të ftojë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për të diskutuar rreth këtij procesi. Ai tha se po bëjnë përpjekjet që të mos shkohet sërish në zgjedhje.

