Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci i ka reaguar deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila tha se kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, nuk shkoi në takim me kryeministrin Albin Kurti “për të ofruar kundërkandidat formal për hir të inatit apo për konsum ditor politik”, lidhur me postin e Presidentit.
“Vlora Citaku paska thënë që PDK ofroi kandidat, jo kunderkandidat. Por, Kushtetuta kerkon dy kandidatë të jenë së paku, prandaj edhe Lëvizja, porsi PDK, po ofron nje kandidat të saj”, shkroi Bajqinovci në një postim në Facebook.
Ai e pyeti PDK-në se ku do t’i marrë 30 nënshkrimet e nevojshme për ta bërë propozimin.
“Po ashtu, secilit kandidat i duhen paraprakisht 30 nënshkrime, e që PDK duhet të tregoj nëse me 22 deputetë i ka këto 30 nënshkrime?”.
Pasi atmosfera në takimin me Hamzën u përshkrua nga Kurti si “konstruktive”, ata treguan se nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e Presidentit.

