Pas dekadash të tëra shërbimi me përkushtim në Stacionin e Autobusëve në Gjilan, Zekirja Syla sot mbyll një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij profesionale dhe nis një etapë të re, pensionimin e merituar.
Zeki, një jetë e tërë në shërbim të qytetarëve, fillimisht si konduktor, më pas në zyrën e informatave, gjithmonë i palodhur, i buzëqeshur dhe i gatshëm për të ndihmuar këdo. Për shumëkënd, Zeki nuk ishte thjesht punonjës i stacionit, ai ishte fytyra e mirëseardhjes, zëri i sigurisë dhe njeriu që e bënte çdo udhëtim më të lehtë.
Por përkushtimi ndaj transportit dhe qytetarëve nuk ishte rastësi. Zeki është djali i njërit prej shoferëve të parë të Kosovatrans në Gjilan, të mirënjohurit Enver Syla (Enver Pozhorani). Një emër që për shumë vite lidhej me profesionalizmin, përgjegjësinë dhe respektin në rrugët e Kosovës. Kështu, dashuria për timonin, për udhëtarët dhe për shërbimin ndaj njerëzve ishte një trashëgimi familjare që Zeki e mbajti me nder dhe e çoi përpara me dinjitet.
Studentët që për vite me radhë udhëtonin çdo javë në linjën Gjilan–Prishtinë e kujtojnë me shumë dashuri. Rruga me kthesa dhe lodhja e mëngjesit bëheshin më të durueshme falë humorit të tij të veçantë. Me batutat plot shpirt dhe me energjinë pozitive që sillte në autobus, “konduktori Zeki” e shndërronte udhëtimin në një përvojë të këndshme, ku e qeshura ishte pjesë e biletës.
Ai dallohej edhe për një zgjuarsi të rrallë. Ishte mjeshtër i numrave, biletat dhe llogaritë i bënte me një shpejtësi që sfidonte edhe kalkulatorin. Por mbi të gjitha, ai kishte zemër të madhe. Kur shihte studentë apo udhëtarë në vështirësi, shpeshherë tregonte mirëkuptim dhe bujari, duke vendosur njerëzoren mbi çdo gjë tjetër.
Zeki do të kujtohet si njeri korrekt, i drejtë, i dashur me kolegët dhe respektues ndaj çdo udhëtari. Një profesionist i vërtetë, por mbi të gjitha një njeri me vlera të larta njerëzore, një vazhdues i denjë i një tradite familjare që la gjurmë në transportin e Gjilanit.
Kolegët, drejtuesit dhe të gjithë ata që patën fatin të punojnë e të udhëtojnë me të, i urojnë pensionim të mbarë, shëndet të plotë dhe një jetë të gjatë, të qetë e të lumtur pranë familjes së tij.

