Presidentja Vjosa Osmani ka pritur dje në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Sven Lange, si dhe Ud. Shefen e Operacioneve Aktuale në Stafin Ndërkombëtar, Divizioni i Operacioneve në Selinë e NATO-s, Blanca Hereza Atienza.
Sipas Presidencës, gjatë takimit presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar mbështetjen e rëndësishme të NALT-it në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, sidomos në zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidenca thekson se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të vendit.
Në njoftim thuhet se Osmani ka vlerësuar në mënyrë të veçantë punën dhe përkushtimin e gjeneral brigade Dr. Sven Lange, i cili po e përmbyllte me sukses mandatin e tij njëvjeçar si drejtor i NALT-it.
“Presidentja ritheksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe vlerat euroatlantike, si dhe për integrimin në NATO”, theksohet në njoftim.

